Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar me një video-mesazh lidhur me zhvillimet e fundit politike, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po mbron ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe njëkohësisht po sulmon partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë.
Berisha deklaroi se Rama ka fshehur kritikat e bëra ndaj Shqipërisë në Bruksel, si në Parlamentin Europian ashtu edhe në raportet e Komisionit Europian. Sipas tij, kryeministri ka sulmuar Gjermaninë, të cilën e cilësoi si vend mik dhe donator të rëndësishëm për Shqipërinë.
Në lidhje me Ballukun, Berisha kundërshtoi deklaratat e Ramës se ajo ka bërë “punë të jashtëzakonshme”, duke pretenduar se tenderët janë dhënë në mënyrë të dyshimtë ndërsa infrastruktura po shembet në disa zona të vendit.
Ai u ndal edhe te situata në juglindje të vendit pas dëmtimeve në aksin rrugor, duke akuzuar qeverinë për keqmenaxhim dhe mungesë përgjegjësie.
Në fund, Berisha kritikoi Ramën se nuk ka komentuar për zhvillimet në Iran, duke lënë të kuptohet se kryeministri po shmang qëndrime të qarta në arenën ndërkombëtare.
