Zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës, një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend, është shndërruar në një tjetër shembull të premtimeve të parealizuara të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Pavarësisht deklaratave optimiste, afatet e shpallura publikisht nuk u respektuan dhe realiteti në terren rezultoi krejt ndryshe.
Në vjeshtën e kaluar, Balluku deklaroi se 6 kilometrat e parë të zgjerimit, nga Casa Italia deri te mbikalimi i Kasharit, do të hapeshin për qarkullim brenda dhjetorit 2025. Segmenti u prezantua si autostradë tip A, me tre korsi për çdo sens dhe korsi emergjence, ndërsa ministrja garantoi se punimet po ecnin me ritme shumë të mira dhe se dorëzimi do të bëhej para afatit zyrtar.
Por muajt kaluan dhe premtimi nuk u mbajt. Në fund të vitit, segmenti nuk u hap për qarkullim, ndërsa në fillim të janarit, një pjesë e rrugës u bë e pakalueshme për shkak të përmbytjeve nga reshjet e dendura të shiut. Qarkullimi i mjeteve u devijua, duke nxjerrë në pah problemet serioze të punimeve të papërfunduara.
Verifikimet në terren treguan se zgjerimi i autostradës ishte ende larg përfundimit, me mjete ndërtimi aktive, zona të pashtruara dhe segmente të papërfunduara. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, hapja e plotë e 6 kilometrave të parë u bë e pamundur për shkak të mosfinalizimit të një ure pranë zonës së njohur si “Kulla Eiffel”.
Kontrata parashikon që Faza e Parë e zgjerimit të përfundojë në maj 2026, ndërsa Faza e Dytë në shtator të po atij viti. Edhe Faza e Tretë, që përfshin mbikalimin e Kasharit dhe Laknasit, ka një afat prej 18 muajsh, por edhe këto afate rrezikohen nga vonesat në procesin e shpronësimeve.
Me një kosto prej 218 milionë eurosh, zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës pritej të ishte një lehtësim i madh për qarkullimin dhe ekonominë, por deri tani ka prodhuar më shumë propagandë sesa rezultate konkrete. Premtimi për hapjen e 6 kilometrave të parë në dhjetor 2025 rezultoi i pavërtetë, ndërsa realiteti në terren konfirmon edhe një herë hendekun mes deklaratave zyrtare dhe punës së kryer.
