Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, ka kërkuar në seancën paraprake zhvillimin e gjykimit të shkurtuar. Kërkesa është paraqitur përmes mbrojtjes së tij pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Të pandehurit e tjerë në këtë proces, mes tyre Adela Ruko – bashkëshortja e ish-kreut të ARRSH-së, Evis Berberi – si dhe disa persona të tjerë të përfshirë në dosje, nuk janë shprehur ende për formën e gjykimit.
Gjatë seancës, avokati i Adelës Ruko u largua nga salla për shkak të një procesi tjetër gjyqësor dhe u gjobit me 100 mijë lekë nga trupa gjykuese. Ai u zëvendësua përkohësisht nga një avokate kryesisht. Sipas burimeve, mungesa e tij ka shkaktuar shtyrje të mëparshme të procesit.
Seanca e radhës është caktuar për më 17 mars.
Detaje nga dosja hetimore
Sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme (SPAK), çështja lidhet me një tender me vlerë rreth 700 mijë euro për “Zhvillimin Strategjik të Sektorit Energjetik”, me nr. REF-46463-12-18-2019.
Hetimet përfshijnë komunikime të pretenduara mes Benet Becit, në atë kohë administrator i KESH, dhe Evis Berberit, si dhe persona të tjerë, lidhur me hartimin paraprak të kritereve të kualifikimit për procedurën e prokurimit. Në dosje përmenden shkëmbime mesazhesh dhe materiale të dërguara në format elektronik, që sipas akuzës, lidhen me përgatitjen e dokumentacionit të tenderit.
Çështja vijon në fazën paraprake, ku gjykata do të vendosë për formën e gjykimit dhe ecurinë e mëtejshme të procesit.
