Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka futur pothuajse në skaner të gjithë sektorët e ministrisë ku Belinda Balluku, që në momentin kur është emëruar ka denoncime, hetime dhe arrestime për korrupsion e vjedhje me tenderë e PPP rrugësh, shit-blerje energjie, ankande, kontrata koncesionare për portet detare, privatizime, dhënie trojesh e pyjesh falas për gurore, naftë, miniera, resorte në bregdet. Hetimet e SPAK kanë nxjerrë në pah skema korruptive të ngritura në institucione kyçe që varen nga ministria që drejton Balluku.
Deri më tani, disa drejtorë janë arrestuar ose janë nën hetim nga SPAK dhe po iu “qepen” letrat për në burg. Goditja më e fortë ishte te ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, krahu i djathtë i Belinda Ballukut, i cili u arrestua disa muaj më parë për korrupsion në tendera. Ai u shfaq si një bashkëpunëtor i ngushtë i ministres, pranë së cilës punoi fillimisht si këshilltar, për të marrë më pas, drejtimin, si i komanduar, të Agjencisë për Eficencën e energjisë. Ndërsa në vitin 2021, emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit rrugor, një prej strukturave më të rëndësishme, për nga projektet dhe vlera e lartë e fondeve që administron.
Edhe pse i iku “krahu i djathtë” Ballukut nuk iu ngul gjemb në këmbë. Sjellim në vëmendje se Ergys Verdho, kreu i KESH u largua pak kohë më parë nga ky post, pasi ndaj tij nisi një hetim për tenderat në institucionin që ai drejtonte. Një tjetër zyrtar i lartë, i cili është nën hetim është edhe Ceno Klosi, ish-kreu i Tatimeve. Deri më tani Balluku vazhdon me tezën e Edi Ramës se ata “kanë ngrënë dardha pas shpine” pasi përveç përgjegjësisë ligjore, kjo e fundit nuk ka mbajtur as atë morale. Vartësit e saj akuzohen e burgosen për korrupsion, Belinda vazhdon sikur të mos ketë ndodhur asnjë gjë.
Skema korruptive me drejtorët
Gjithashtu ka me dhjetëra kallëzime në SPAK për drejtoritë që Belinda Balluku ka në varësi, ku tenderat e paracaktuar vazhdojnë të bëjnë namin, pasi kontratat shpesh i jepen kompanive të cilat kanë lidhje me zyrtarët ose me klientelën politike. Dy drejtoritë më problematike dhe të dyshuara për afera janë Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve. Pazaret nën tavolinë, sigurisht nuk mund të bëhen pa dijeninë e Ballukut. Gjithashtu ka abuzime me fondet publike që menaxhojnë këto institucione. Faturime të fryra dhe projekte që nuk realizohen sipas parametrave të dakordësuar dhe manipulime të dokumentacionit. Belinda Balluku, pavarësisht akuzave të shumta dhe hetimeve që po zhvillohen ndaj saj dhe bashkëpunëtorëve të saj, vijon të mbetet në detyrë. Akuzat ndaj saj nuk janë të reja, por në muajt e fundit, veçanërisht pas forcimit të veprimeve nga SPAK, presioni publik për një hetim më të thelluar dhe mbajtjen përpara drejtësisë të të gjithë zyrtarëve të përfshirë është shtuar ndjeshëm.
