Debati për mandatin e Olta Xhaçkës ka rikthyer në qendër të vëmendjes skenarët politikë dhe juridikë që rrethojnë këtë çështje, duke nxjerrë në pah një tjetër përplasje të fortë mes mazhorancës dhe opozitës. Pavarësisht se Komisioni i Venecias ka dhënë një opinion të qartë, ku qartëson se Gjykata Kushtetuese e ka pasur në shqyrtim çështjen dhe e ka pushuar atë, opozita duket se po luan blofin për të mbajtur gjallë betejën politike.
Anëtarja e Komisionit të Ligjeve, Ermonela Felaj, ka zbardhur skemën e plotë të procedurave që mund të ndiqen për ta çuar çështjen përpara, duke theksuar se nuk ka më asnjë paqartësi pas opinionit të Venecias. Sipas Felajt, janë dy rrugë për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese: e para, përmes Kuvendit në bazë të një mocioni ose me mbështetjen e 1/10 së deputetëve; dhe e dyta, përmes neneve që përcaktojnë një rreth të veçantë subjektesh, siç është 1/5 e deputetëve. Ajo u shpreh se mazhoranca ka ruajtur qëndrimin e saj gjatë gjithë procesit dhe opinionet e ekspertëve kanë konfirmuar këtë qëndrim.
Skema
Ndërkohë, Felaj vlerësoi se Kuvendi ka shënuar një fitore të rëndësishme në këtë çështje, duke konsoliduar funksionin e tij si institucion dhe duke respektuar të gjitha mekanizmat kushtetues. Për më shumë se dy vjet, çështja Xhaçka ka kaluar në disa hallka proceduriale, nga Këshilli i Rregullores deri te marrja e opinionit të ekspertëve kushtetues. Por tashmë, opinionet profesionale dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe Komisionin e Venecias, e kanë bërë të qartë pozicionin përfundimtar. Pavarësisht përpjekjeve të opozitës për ta mbajtur çështjen në axhendën politike, mazhoranca ka siguruar një argument të fortë përpara Gjykatës Kushtetuese dhe opinionit publik.
Kjo përplasje ka treguar jo vetëm peshën e institucioneve të drejtësisë, por edhe përpjekjet e pandalshme për të kapitalizuar politikisht çdo ngërç procedural. Tashmë mbetet për t’u parë nëse opozita do të vijojë strategjinë e saj për ta çuar këtë çështje deri në fund, apo do të përballet me pamundësinë e rikthimit të saj në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë, pozicioni i mazhorancës, i mbështetur edhe nga konkluzionet e Venecias, vijon të mbetet i palëkundur.
Qëndrimi i Felaj
Ndërkohë kujtojmë se pak ditë më parë anëtarja e Komisionit të Ligjeve, njëherësh deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj theksoi se vendimi i Komisionit të Venecias konfirmoi qëndrimin e PS. Felaj teksa ishte e ftuar në një emision televiziv, u shpreh se ky opinion ka bërë që Kuvendi të shënoj një fitore. Gjithashtu ajo parashtroi dy mënyra sesi mund të vihej në lëvizje kjo çështje. Sipas saj, mënyra e parë është Kuvendi që ja nis Gjykatës Kushtetuese në bazë të mocionit ose 1/10 të deputetëve dhe mënyra tjetër lidhet me nje nen tjetër që lidhet me rrethin e subjekteve që vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Më tej ajo tha se Komisioni i Venecias ka thënë që Gjykata Kushtetuese çështjen Xhaçka e ka pasur në shqyrtim, por e ka pushuar këtë çështje.
