Seanca paraprake ndaj kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, është shtyrë sërish për herë të tretë, pasi ai nuk u paraqit në Gjykatën e Posaçme.
Beci ka dhënë prokurë të posaçme për përfaqësim te avokati i tij, Ervin Metalla, i cili njoftoi se ndodhej i angazhuar në një proces tjetër gjyqësor. Për këtë arsye, gjyqtarja vendosi ta shtyjë seancën për datën 24 shkurt.
SPAK pritet të lexojë kërkesën për kalimin e çështjes për gjykim, ndërsa mbrojtja do të paraqesë kundërshtimet e saj.
Beci dhe gjashtë të pandehur të tjerë akuzohen për shkelje të barazisë në tendera, lidhur me një procedurë konsulence të zhvilluar nga KESH në vitin 2019, me vlerë 96.5 milionë lekë.
Në këtë proces është e pandehur edhe Adela Ruko, ndërsa hetimet kanë nisur pas sekuestrimit të provave materiale në kuadër të një çështjeje tjetër të lidhur me ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi.
