Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) ka konfirmuar zyrtarisht se ish-përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për politikën e jashtme, Federica Mogherini, është nën hetim dhe i janë komunikuar akuzat për korrupsion, mashtrim dhe parregullsi në procedurat e tenderimit. Akuzat prekin gjithashtu një anëtare të lartë të stafit të Kolegjit të Evropës si dhe një zyrtar të lartë të Komisionit Evropian.
Sipas njoftimit zyrtar nga EPPO, hetimi mori një kthesë vendimtare këtë javë, kur Policia Federale Gjyqësore belge ekzekutoi disa kontrolle dhe bastisje në Bruksel dhe Bruges, duke çuar në ndalimin e tre personave.
Ndalimet u kryen të martën, pas operacioneve hetimore në zyrat e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) dhe në ambientet e Kolegjit të Evropës, institucion ku Mogherini shërben aktualisht si rektore.
Akuzat e ngritura: Mashtrim, korrupsion dhe konflikt interesi
Pas marrjes në pyetje, Mogherini dhe dy zyrtarët e tjerë janë njoftuar me akuzat zyrtare që përfshijnë:
- Mashtrim në procedurat e prokurimit
- Korrupsion aktiv dhe pasiv
- Konflikt interesi
- Shkelje të sekretit profesional
Të tre të dyshuarit janë lënë të lirë, pasi nuk konsiderohen rrezik për t’u larguar nga vendi, por hetimi mbetet i hapur dhe në fazë intensive.
Hetimi për tenderin e Akademisë Diplomatike të BE-së
EPPO bën të ditur se ekzistojnë “dyshime të forta” për parregullsi në procedurën e tenderimit për menaxhimin e programit të trajnimit të Akademisë Diplomatike të BE-së, të zhvilluar gjatë viteve 2021–2022. Programi ishte projektuar për të përgatitur diplomatët e rinj të Bashkimit Europian.
Operacionet hetimore kanë përfshirë:
- Kontrollet në pronat e personave të dyshuar
- Bastisjet në disa ndërtesa të Kolegjit të Evropës
- Verifikime në selinë e EEAS-it në Bruksel
Të dhënat e sekuestruara pritet të shërbejnë për verifikimin e mënyrës se si është zhvilluar tenderi, si dhe për identifikimin e kontakteve të mundshme të paligjshme mes zyrtarëve dhe operatorëve ekonomikë.
