Vendet anëtare të Bashkimi Evropian po planifikojnë të shtyjnë zbatimin e disa rregullave më të rrepta për inteligjencën artificiale deri në dhjetor të vitit 2027.
Sipas delegacioneve të BE-së, rregullat që lidhen me sistemet e inteligjencës artificiale që paraqesin rreziqe të caktuara pritet të hyjnë në fuqi rreth 16 muaj më vonë nga sa ishte planifikuar fillimisht.
Në nëntor, Komisioni Evropian kishte propozuar shtyrjen e afatit për t’u dhënë më shumë kohë kompanive që zhvillojnë teknologji të inteligjencës artificiale për të përmbushur kërkesat e reja ligjore.
Fillimisht, Zyra Evropiane për Inteligjencën Artificiale pritej të fillonte zbatimin e disa prej rregullave që në muajin gusht, por procesi është shtyrë për shkak të nevojës për më shumë kohë për përgatitjen e industrisë.
Megjithatë, përpara se ndryshimet të hyjnë në fuqi, shtetet anëtare dhe Parlamenti Evropian duhet të arrijnë një marrëveshje përfundimtare mbi tekstin e ligjit.
Akti Evropian për Inteligjencën Artificiale parashikon detyrime të reja për zhvilluesit e sistemeve të inteligjencës artificiale, përfshirë platforma si ChatGPT dhe Gemini, duke kërkuar më shumë transparencë për mënyrën se si trajnohen modelet dhe si përdoren të dhënat.
Ligji pritet gjithashtu të përfshijë kufizime të reja për krijimin e përmbajtjeve të manipuluara ose intime pa pëlqimin e personave të përfshirë, si dhe ndalimin e çdo përmbajtjeje që lidhet me abuzimin seksual të fëmijëve.
