Platforma “X”, e kontrolluar nga miliarderi amerikan Elon Musk, është gjobitur me 120 milionë euro nga Bashkimi Evropian, pas konstatimit të disa shkeljeve serioze të ligjeve të reja dixhitale.
Hetimi dyvjeçar i BE-së zbuloi se platforma kishte përdorur shenja “blu” mashtruese për verifikim, duke u lejuar përdoruesve t’i blinin ato dhe duke krijuar konfuzion mbi identitetin e vërtetë të llogarive. Përveç kësaj, X akuzohet për mungesë transparence në reklama dhe për mosdhënien e aksesit ligjor të kërkuar për studiuesit, të cilët monitorojnë çështje delikate si përmbajtja politike.
Komisioni Evropian njoftoi sot se këto shkelje bien ndesh me Aktin e Shërbimeve Dixhitale (DSA), legjislacionin që rregullon funksionimin e platformave të mëdha teknologjike në territorin e BE-së. Kjo është gjoba e parë madhore ndaj X që nga hyrja në fuqi e rregullores së re në vitin 2023.
Hetimet e BE-së do të vazhdojnë, pasi ka edhe tre çështje të tjera të hapura kundër platformës, të lidhura me përmbajtjen e paligjshme, funksionimin e algoritmeve dhe masat për parandalimin e nxitjes së dhunës së terrorizmit. Shumë nga këto ndryshime u aktivizuan pas blerjes së Twitter nga Elon Musk në tetor 2022 dhe transformimit të tij në “X”.
Sipas të përditshmes The Guardian, gjoba ndahet në tre kategori:
- 45 milionë euro për shenjën e re blu të verifikimit që mund të blihej nga kushdo;
- 35 milionë euro për shkeljen e rregullave të reklamimit;
- 40 milionë euro për mosdhënien e aksesit të të dhënave për studiuesit.
Sipas DSA-së, platforma mund të gjobitet deri në 6% të të ardhurave globale, që për X llogariten rreth 2.5–2.7 miliardë dollarë në vitin 2024.
Vendimi i sotëm pritet të vendosë precedent për mënyrën se si BE do të trajtojë shkeljet e platformave teknologjike në të ardhmen.
