Bashkimi Evropian dhe Dy institucionet e Drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë reaguan ashpër dje në lidhje me kërcënimet dhe presionet që bëri kryeministri Edi Rama ndaj gjyqtarit të dosjes së arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, por dhe prokurorit të dosjes Ols Dado. Ndërkohë sulmet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve vijuan edhe nga kryetari i PD-së, Sali Berisha. Institucioni i ri i drejtësisë kërkoi që të mos bëheshin deklarata të tilla nga ‘njerëz të veshur me pushtet’ apo dhe media, që cenonin pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe gjyqtarëve, që ‘preknin dhe cenonin figurën’ e tyre.
“KLGJ mban qëndrimin se çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë e gjyqësorit, nëpërmjet trysnisë apo presionit të çfarëdo lloji, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit”, thuhet në reagim. Duke kujtuar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, KLGJ kujtoi se rruga e vetme për të ndjekur këto çështje është drejt një gjykate më lartë. Edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kërkon nga të gjithë aktorët që të respektojnë pavarësinë dhe integritetin profesional të prokurorëve, duke siguruar që ata të ushtrojnë funksionet e tyre pa ndikime të jashtme në funksion të dhënies së drejtësisë.
