Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Hysni Gucati, ka dorëzuar në Gjykatën Speciale në Hagë peticionin me mbi 200 mijë nënshkrime që kërkojnë lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
Pas dorëzimit të dokumentit, Gucati deklaroi se peticioni përfaqëson zërin e shqiptarëve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora.
Sipas tij, firmat tregojnë mbështetjen për atë që ai e cilësoi si “luftë të shenjtë” të UÇK-së dhe kërkesën për lirimin e ish-drejtuesve të saj.
Në deklaratën e tij, Hysni Gucati kritikoi edhe zgjatjen e procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, duke e konsideruar të padrejtë mbajtjen e tyre për gati gjashtë vite në paraburgim.
Ai kërkoi që Gjykata Speciale të japë sa më shpejt një vendim përfundimtar, duke shprehur bindjen se katër ish-krerët e UÇK-së janë të pafajshëm.
Procesi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023 në Hagë, ndërsa aktakuza ishte konfirmuar tre vite më herët. Të akuzuarit kanë deklaruar vazhdimisht se nuk ndihen fajtorë për akuzat që rëndojnë mbi ta.
