Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se qëndron pas kërcënimeve me jetë ndaj avokates Adriana Kalaja.
Sipas Berishës, Kalaja është kërcënuar prej më shumë se një muaji, pas kallëzimeve që ajo ka bërë në SPAK ndaj Ramës dhe bashkëshortes së tij, Linda Rama, për çështje që ai i cilëson si afera korruptive.
“Vrasës dixhitalë me pagesë”
Në deklaratën e tij, Berisha pretendoi se kërcënimet janë bërë përmes platformave online dhe i cilësoi autorët si “vrasës dixhitalë me pagesë”, duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin për nxitjen e tyre.
Ai theksoi se, megjithëse policia ka referuar rastin në prokurori, çështja sipas tij nuk ka avancuar dhe mbetet pa hetim aktiv.
Paralajmërim publik
Berisha paralajmëroi se çdo incident i mundshëm ndaj Kalasë do të ketë përgjegjësi politike direkte.
“Adriana Kalaja nuk mposhtet nga kërcënimet, por çdo incident ndaj saj do të ketë përgjegjës,” u shpreh ai.
