Balluku dëshmon mbi 3 orë në SPAK, prokurori Dritan Prençi bën modalitetet e fundit për dosjen e inceneratorit të Tiranës, brenda majit mbyllet gjithçka, në Prokurorinë e Posaçme pritet të thirret edhe Engjëll Agaçi, ja çfarë po ndodh me bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ramës

Data

Zyrtarë të lartë socialistë, disa prej tyre bashkëpunëtorë të ngushtë të kryeministrit Rama, disa prej të cilëve ndër më të afërtit në vite, janë rreshtuar së fundmi një nga një në dyert e Prokurorisë së Posaçme. E fundit që u thirr para drejtësisë së re ishte zv/kryeministrja Belinda Balluku. Burime të gazetës “SOT” bëjnë me dije se SPAK nuk do të ndalet me kaq, pasi prokurorët do të thërrasin për të marrë në pyetje edhe Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi. Edhe ky i fundit dyshohet se do thirret për të dhënë llogari për inceneratorin e Tiranës.

Pse u thirr Balluku në SPAK?

Për më shumë se 3 orë zv/kryeministrja, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, dëshmoi dje në SPAK në lidhje me hetimet që po kryhen për inceneratorin e Tiranës. Balluku, pas marrjes në pyetje, foli shkurtimisht për gazetarët dhe tha se shpreson që dëshmia e saj të ketë shërbyer në zbardhjen e kësaj dosje. Sipas saj kjo dosje ka bërë pis të madh dhe të vogël dhe ka ardhur koha që të zbardhet në mënyrë që të ndahet e mira nga e keqja dhe, puna e ndershme nga abuzimi i pafalshëm, siç e cilësoi ajo. “Ishte një thirrje për dosjen 225 që është dosja e inceneratorëve. Duhet të jepja disa sqarime që besoj të kenë shërbyer në zbardhjen e kësaj dosje. Kam dhënë dëshmi që besoj të kenë shërbyer në zbardhjen e kësaj dosje. Kjo është ndarja e re e pushteteve, drejtësia ka punën e saj, qeveria ka punën e saj dhe parlamenti punën e tij.  Ne jemi këtu për ta mbështetur drejtësinë. Kjo dosje ka bërë pis të madh e të vogël dhe i ka ardhur koha të zbardhet, në mënyrë që të ndahet e mira nga e keqja e të ndahet puna e ndershme nga abuzimi pafalshëm”, tha Balluku, pas përfundimit të marrjes në pyetje. Mësohet se ajo është pyetur se si janë lëvruar fondet për këtë incenerator.

Detajet nga hetimet

Fletëthirrja për Ballukun u bë nga prokurori Dritan Prençi i cili po heton edhe inceneratorin e Tiranës, hetimet për të cilin janë drejt fundit. Vënia nën sekuestro është akti i parë i ndërmarrë nga drejtësia për rastin e Tiranës, ndërsa për Elbasanin dhe Fierin, hetimet janë mbyllur ndërsa ish-zyrtarë të lartë përfshirë Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon janë shpallur fajtor dhe janë dënuar. Mësohet se Prençi pritet që brenda muajit maj të vendosë lidhur me dosjen e inceneratorit të Tiranës nëse do e dërgojë për gjykim. Prej 1 gushtit 2023, impianti i trajtimit të mbetjeve në Tiranë është në sekuestro me kërkesë të SPAK dhe firmosur nga GJKKO. Sipas SPAK rezultoi se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri ishin pronarët e vërtetë të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila më 31 gusht 2017 fitoi kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë me kosto të investimi të parashikuar në kontratën koncesionare në vlerën 128,248,330 Euro (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) pa TVSH. Dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” edhe dy inceneratorëve të tjerët në Elbasan dhe Fier. Në muajin dhjetor 2023, Gjykata e Posaçme firmosi, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, 15 urdhra arresti, si pjesë e hetimeve për inceneratorin e Tiranës, nga të cilët 6 me arrest shtëpie. Mes të arrestuarve është dhe emri i Taulant Tushes, Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës. Urdhër arresti ka patur dhe për një tjetër ish drejtor të Bashkisë, Namik Thimixhi, i cili mbulonte Menaxhimin e mbetjeve dhe ishte në varësi direkte të Tushes. Urdhërat e arrestit prekën sërish dhe ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka, si dhe ish deputetin socialist Alqi Bllako, si dhe dy sipërmarrësit në kërkim Mirel Mërtiri e Klodian Zoto. Ndërsa në ‘arrest shtëpie’ janë 7 të tjerë, konkretisht Etleva Kondi, Valbona Ballgjini, Alba Thoma, Sidita Kopliku, Silena Toma, Pëllumb Abeshi dhe Jetmir Llapaj. Llogari në SPAK dha edhe para pak ditësh kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili është akuzuar nga Arben Ahmetaj si koka e inceneratorit të Tiranës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related