Mediat gjermane kanë ngritur alarmin së fundmi me disa artikuj lidhur me një aferë të mundshme që përfshin Belinda Ballukun, ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri dhe një kontratë të dyshimtë lidhur me Portin e Durrësit. Afera ka ngritur shqetësime për lidhje të mundshme me interesa të errëta dhe përfshirje të individëve me ndikim në nivel ndërkombëtar, përfshirë një oligark shqiptar dhe një pronar kroat. Mediat gjermane drejtuan gishtin nga Balluku për procedurën e dyshimtë me koncesionin që favorizon një kompani kroate fiktive dhe me lidhje të mundshme kriminale, që sipas artikujve këto interesa të errëta shkonin deri në Amerikën Latine.
Gjermania kërkonte transparencë nga qeveria për procesin dhe marrëdhëniet që rrethojnë këtë kontratë të rëndësishme strategjikisht. Madje artikujt në median gjermane përmenden se pjesë e kësaj afere të dyshimtë qëndron dhe një oligark shqiptar. Por deri më tani, asnjë përgjigje nga ministrja Balluku nuk është dhënë për të shpjeguar lidhjet e dyshuara dhe për të sqaruar akuzat e rënda që po bëhen ndaj saj. Reagimi i saj i fundit ishte bosh dhe ministrja po tenton t’ia hedhë paq duke i quajtur këto shkrime të sponsorizuara. Ky reagim ngre pikëpyetje në lidhje me ndikimin e politikës shqiptare në bizneset ndërkombëtare dhe përfshirjen e aktorëve të huaj në projekte kyçe strategjike në vend.
Çfarë ka ndodhur?
Alarmi i gjermanëve vjen në momentin kur para disa javësh u zbulua skandali i mbetjeve toksike në Portin e Durrësit, ku ka dyshime shumë të forta se në Shqipëri organizohet një aktivitet i mirëfilltë mafioz me tregtinë e mbetjeve të rrezikshme. Kjo tregti është e pamundur të realizohet pa korruptimin e institucioneve shtetërore që përgjigjen për sigurinë e kufijve duke filluar nga autoriteti portual, doganat dhe më tej policia kufitare. Një prej arkitekteve kryesore që ka lëvizur fijet në skandalin e mbetjeve me përmasa që tejkalon kufijtë e Shqipërisë është Belinda Balluku.
Të dhënat e deritanishme tregojnë se mbetjet e prodhuara nga kompania turke “Kurum”, e cila operon në zonën e Elbasanit, janë eksportuar jashtë Shqipërisë nëpërmjet kompanisë “Sokolaj” shpk, nën hundën ose, me shumë mundësi, me dijeninë e plotë të Autoritetit Portual të Durrësit, pasi siç e tregoi qartë pak kohë më parë Artur Meçollari, ish-zv.komandant i Forcave Detare, Kodi IMDG (Kodi Ndërkombëtar i Mallrave të Rrezikshme Detare) është i detyrueshëm sipas Konventës Ndërkombëtare për Sigurinë e Jetës në Det (SOLAS) dhe Konventës Ndërkombëtare për Parandalimin e Ndotjes nga Anijet (MARPOL) dhe në Portin e Durrësit, autoriteti i zbatimit të tij është Autoriteti Portual Durrës. Por gjithë kjo situatë nuk mbaron me kaq. Nuk mund të dënohet vetëm drejtori i Portit të Durrësit, pasi faktet që do të renditim më poshtë të shoqëruara me pikëpyetje dhe mistere për pazare të pista që janë bërë nën tavolinë, implikojnë gjithë shtetin.
