Kuvendi u përfshi dje nga debate të forta mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demorkatike, ndërkohë që me 75 vota pro dhe 24 kundër mazhoranca votoi në tërësi pr/buxhetin për vitin ardhshëm vlera e të cilit është 8.2 miliardë euro. Kartonat jeshilë u ngritën pas 9 orëve debate, ku mazhoranca rrëzoi të gjitha amendamentet e opozitës. 55 nismat e PD-së, PL-së dhe grupit të Alibeajt, u konsideruan nga qeveria si të pamatura, e siç tha ministri i Financave, ishin një piramidë për arkën e shtetit. Plot 825 miliardë lekë do të jenë në dispozicion të institucioneve për tu shpenzuar për shërbime shëndetësore, për paga, për skemat e mbështetjes të familjeve në nevojë, pensione, arsim, punësim, sigurinë, bujqësinë, transportin rrugor, drejtësinë e deri tek shpenzimet për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Votat pro buxhetit i dha dhe PSD.
“Shuplaka” për Berishën
Të parat amendamente që rrëzuan socialistët ishin ato të propozuara nga Sali Berisha i cili u rikthye sot në Kuvend pas 11 muajsh në “arrest shtëpie” në kuadër të hetimeve për aferën e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani, për të cilin SPAK e akuzon ish kryeministrin për korrupsion. Me 77 vota u rrëzuan 2 amendamentet e propozuara nga Berisha për të pezulluar të gjitha prokurimet për investime publike dhe shpenzimet luksi deri në momentin për caktimin e minimumit jetik, për të cilën deputeti i PD-së Flamur Noka propozoi 200 euro. Nuk u pranua as amendamenti i PD-së për rimbursimin e parukeve dhe protezave të gjirit. Kartonët e kuq të socialistëve u ngritën edhe për 11 amendamentet e PL-së.
Pikat më kulminante të debateve ka qenë përplasja e deputetëve të PD-së, Ina Zhupa me Edmond Spahon me ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu dhe përplasja e deputetit Bledion Nallbati me ministrin Petrit Malaj. Kryeministri Edi Rama nuk ishte sot në seancë parlamentare, pasi ndodhet në Bruksel në pritjen e organizuar nga Presidenti i ri i Këshillit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor. Në seancë është vëne re dhe mungesa e Lulzim Bashës, kreut të demokratëve euroatlantikë. Ndërsa ish kryeministri Berisha u largua nga seanca pasi mbajti fjalën për amendamentet e tij dhe u rrëzuan me votë. Po me 75 vota pro buxheti kaloi në parim dhe në seancën e 19 nëntorit 2024.
Tabaku akuza qeverisë
Ndërkaq deputetja Jorida Tabaku akuzoi dje nga foltorja e Parlamentit qeverinë dhe mazhorancën se ka lënë pas dore dy nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vend, si Industria fasone dhe Bujqësia, teksa bizneset duhen rimodeluar dhe ndihmuar, pasi po falimentojnë, edhe për shkak të zhvlerësimit të euros. Tabaku kritikoi buxhetin e propozuar dhe kërkoi përfshirjen e amendamentit të saj për zhvlerësimin e euros në treg, me qëllim dhënien e ndihmës së industrisë dhe bujqësisë, për të shmangur falimentimet e mëtejshme.
