Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka akuzuar se struktura të policisë janë përfshirë në aktivitetet e krimit të organizuar, duke iu referuar një operacioni të fundit të SPAK.
Në një deklaratë për mediat, Balliu tha se sipas dosjes hetimore, ish-shefi i krimeve në Vlorë, Rezart Kuçi, bashkëpunonte me grupin kriminal të Inez Hajrullës gjatë kohës që mbante detyrën në polici.
Sipas deputetit demokrat, Kuçi jo vetëm furnizonte grupin kriminal me informacione për rivalët, por edhe dekonspironte operacionet e policisë dhe të partnerëve ndërkombëtarë.
Balliu shtoi se në dosje dokumentohet edhe porosia për një sasi prej 400 kilogramësh kokainë, e cila dyshohet se do të trafikohej nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Sipas tij, një pjesë e kësaj sasie është trafikuar nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor të vitit 2020 dhe është sekuestruar nga autoritetet gjermane.
Deputeti përmendi edhe disa dosje të njohura hetimore si “Metamorfoza”, “Flakë në Det”, “Çopjat” dhe “Çelajt”, duke theksuar se sipas tij ato kanë një element të përbashkët: përfshirjen e zyrtarëve shtetërorë në strukturat e krimit të organizuar.
Ai shtoi gjithashtu se miliardat e përfituara nga trafiku i drogës pastrohen në sektorin e ndërtimit në Shqipëri përmes lejeve të ndërtimit.
Në fund, Balliu bëri të ditur se ka depozituar një projektligj që parashikon që pasuritë e konfiskuara nga krimi i organizuar të përdoren për familjet e efektivëve të rënë në detyrë, për familjet e qytetarëve që kanë humbur jetën nga përplasjet e bandave kriminale, si dhe për mbështetjen e çifteve të reja.
