Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka komentuar nga Kuvendi vizitën në Tiranë të zyrtarit të Parlamentit Europian, David McAllister, duke theksuar se ai nuk zhvilloi takim me kreun e PD-së, Sali Berishën.
Sipas Ballës, fakti që McAllister takoi disa përfaqësues të opozitës, por jo Berishën, është një sinjal i qartë politik. “Këta nuk i takojnë as aleatët e vet”, u shpreh ai, duke iu referuar drejtuesit të PD-së.
Në vijim të fjalës së tij, Balla reagoi edhe ndaj kritikave të opozitës për pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama në Bordin e Paqes, duke theksuar se Shqipëria duhet të jetë pjesë e forumeve ndërkombëtare të rëndësishme.
“Mbani telefonat ndezur në orën 18:00. Kryeministri Edi Rama dhe Trump do të jenë aty ku i takon Shqipërisë të jetë”, tha ai, duke iu drejtuar opozitës me tone ironike.
Balla dënoi gjithashtu protestat e dhunshme dhe përdorimin e të miturve në përplasje me policinë, duke i cilësuar si të papranueshme për një parti që aspiron të jetë pjesë e familjes politike europiane.
