Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka reaguar nga foltorja e Kuvendit lidhur me arrestimin në Itali të vëllait të deputetes së PD-së, Elda Hoti, për çështje droge.
Gjatë fjalës së tij, Balla ironizoi opozitën, duke deklaruar se nëse një rast i tillë do të përfshinte një familjar të një deputeti socialist, reagimi i Partisë Demokratike do të ishte shumë i ashpër.
“Imagjinoni sikur një ngjarje e tillë t’i kishte ndodhur një familjari të një deputeti të kësaj salle nga mazhoranca. Do të kishit bllokuar foltoren dhe do të kishit kërkuar burg me atë gjuhën e turpit që nuk ka lidhje me politikën”, u shpreh ai.
Balla theksoi se mazhoranca nuk do të bëjë deklarata për rastin konkret, por shtoi me tone ironike se “narkosin e paskeni brenda shtëpisë tuaj”, duke iu referuar opozitës.
Në vijim të fjalës së tij, ai u ndal edhe te debati për ndryshimet ligjore dhe raportin mes pushteteve, duke deklaruar se “në Shqipëri nuk mund të pezullohen autoritetet kushtetuese”, ndërsa akuzoi opozitën për përpjekje për të ndërhyrë në kompetenca që, sipas tij, nuk i takojnë.
