Avion rrëzohet pranë autostradës në Britani, një pasagjer shpëton me parashutë

Data

Një ngjarje e rëndë ajrore është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së martës, më 3 shkurt, pranë autostradës M62 në zonën Littleborough të Rochdale, në Mançesterin e Madh. Një avion i vogël është rrëzuar vetëm pak metra larg rrugës kryesore, duke shkaktuar panik dhe mobilizim të menjëhershëm të forcave të emergjencës.

Sipas të dhënave paraprake, në bord ndodheshin dy persona. Njëri prej tyre ka arritur të shpëtojë duke u hedhur nga avioni me parashutë, ndërsa autoritetet po verifikojnë gjendjen e personit të dytë. Zona është izoluar nga policia, e cila ka bërë thirrje që qytetarët të shmangin kalimin pranë vendit të ngjarjes.

Avioni ishte i tipit Cirrus SR20 dhe ishte nisur nga Birminghami. Ky model është i pajisur me sistem parashute sigurie, i projektuar për t’u përdorur në raste emergjente. Në pamje të shpërndara nga vendngjarja shihet një parashutë e madhe e verdhë, e mbetur e varur në zonën përreth.

Banorë dhe dëshmitarë okularë kanë treguar se kanë parë një numër të madh automjetesh emergjence, përfshirë policinë dhe helikopterë, që mbërritën menjëherë në zonë. Një fermer i zonës deklaroi se fillimisht mendoi se bëhej fjalë për një parashutë rekreative, por më pas kuptoi seriozitetin e situatës.

Autoritetet britanike po vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e rrëzimit dhe për të përcaktuar nëse ka viktima apo të lënduar të tjerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related