Bashkim Rajku ka dëshmuar në GJKKO në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiu, lidhur me episodin e vendosjes së tritolit në lokalin e familjes së tij në Durrës.
Në dëshminë e tij, Rajku deklaroi se është pronari i biznesit, ndërsa vajza e tij, Anisa, administronte aktivitetin.
Sipas tij, shpërthimi ndodhi në vitin 2022 dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale në lokal.
“Ndodhi një shpërthim te lokali dhe e gjetëm gjithçka të shkatërruar. Dëgjova zhurmën ndërsa isha në banesë dhe zbrita menjëherë poshtë”, tha ai para trupit gjykues.
Rajku tregoi se lokali ndodhej në katin e parë të pallatit ku banonte familja dhe se në momentin e shpërthimit objekti ishte i mbyllur.
Ai shtoi se nuk kishte dijeni për autorët apo motivet e ngjarjes dhe deklaroi se familja nuk kishte pasur konflikte me persona të tjerë.
Gjatë dëshmisë përmendi edhe emrin e Kleviol Ahmeti, për të cilin tha se e kishte dëgjuar në media dhe se mund të kishte pasur rivalitet artistik me djalin e tij, por pa njohuri për konflikte konkrete.
“Djali është artist, nuk di të kemi pasur probleme me askënd”, u shpreh Bashkim Rajku.
