Babai i 17-vjeçares së dhunuar në Fier ka treguar se si mësoi për ngjarjen e ndodhur më 8 qershor, ku vajza e tij dyshohet se u sulmua nga një 20-vjeçare dhe dy të mitura 15-vjeçare.
Në rrëfimin e tij, ai tha se ditën e ngjarjes kishte telefonuar vajzën pasi kishte një parandjenjë, por fillimisht ajo nuk i kishte treguar se çfarë kishte ndodhur.
“E mora përsëri në telefon, por nuk ma hapte. Më pas më tha se po merrte serum në spital, sepse nuk ndihej mirë”, deklaroi ai.
Babai tha se për ngjarjen u informua pasi një e afërme e familjes kishte parë videon e dhunës. Në atë moment, ai ndodhej në Orikum për shkak të punës dhe i kërkoi bashkëshortes të shkonte menjëherë në Fier për të marrë vajzën.
Sipas rrëfimit të 17-vjeçares, vajzat e kishin pritur pas kursit dhe i kishin thënë se duhej të sqaronin një çështje. Më pas, ajo dyshohet se është dërguar në banesën ku ndodhi sulmi.
Babai pretendoi se kallëzimi ishte bërë që në muajin qershor, por se fillimisht nuk ishte marrë masë ndaj të dyshuarave. Ai ngriti gjithashtu shqetësime për trajtimin mjekësor të vajzës pas ngjarjes, duke thënë se familja nuk ishte informuar në mënyrë të plotë për gjendjen e saj.
Sipas tij, 17-vjeçarja është aktualisht në gjendje më të mirë, por po përballet ende me pasojat emocionale të ngjarjes.
Për rastin janë marrë masa sigurie ndaj tri të dyshuarave, ndërsa Prokuroria e Fierit vijon hetimet për të përcaktuar përgjegjësinë e secilës dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat.
