Avokati i njohur, Arben Llangozi ka komentuar zhvillimet e fundit politike, ndërsa e ka ndalur theksin tek arrestimi i kryebashkiakut në detyrë të Himarës, Jorgo Goro dhe aferës së koncesioneve në shëndetësi, madje ka nxjerrë detaje “bombastike” për emrat që po hetohen nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) sa i takon koncesioneve në shëndetësi. Avokati Arben Llangozi fillimisht e ka ndalur theksin tek kallëzimi penal i bërë prej tij ndaj ish-ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, duke theksuar se ajo është më e implikuar se Ilir Beqaj. Llangozi theksoi se me mosveprimet e saj të qëllimshme ajo i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm afro 10 milionë euro. Kështu që përpara kësaj situate, zoti Llangozi kërkoi nga SPAK që të hetojë edhe pasurinë e Ogerta Manastirliu. “Komisioni hetimor fillon një procedim administrativ, ndryshe nga një proces penal. Do mblidhen prova dhe në fund më pas do të vlerësohet se çfarë veprime dhe mosveprime janë bërë nga funksionarët e lartë dhe më pas do vendos sipas rastit. Pa dyshim nëse do bëhet kallëzim qëllimi ky është, atëherë institucionet kanë detyrimin që të bëjnë kallëzim përkatës për këta funksionar të lartë, i përket organit të akuzë nëse regjistron ose jo procedim penal pastaj. SPAK si ngelet gjë tjetër veç se të filloj një hetim dhe kemi raste të shumta që kanë filluar hetim prokuroria e Posaçme në bazë të kallëzimeve të bëra nga komisioni hetimor. Unë them se marrja e këtyre provave do t’i vlejë procesit, sepse janë prova të mbledhura konform procedurës. Nuk është vetëm z.Beqaj i implikuar, kemi të tjerë. Kemi Manastirliun që është më e implikuar se z.Beqaj. Ky komision do mbledhë fakte dhe prova që mund të hapë një hetim më të thelluar. Manastirliu është person nën hetim. Janë duke vijuar hetimet. Është dosje e veçantë, jashtë dosjes ku ndodhet nën hetim z.Beqaj. Unë di të them që në rastin e sterilizimit, një dosje tjetër veç asaj të z.Beqaj, është duke u hetuar edhe znj.Manastirliu, sepse i ka shkaktuar dëm shtetit 10 milionë euro. Kemi fraksione, nuk duhet që ta paragjykojmë komisionin hetimor. Unë kam bërë një kallëzim për znj. Manastirliu për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash. Menjëherë sapo ka ardhur në krye të ministrisë me mosveprim apo me qëllim nuk ka marrë masa për mos dëmtim të buxhetit të shtetit. Me mosveprim ka sjellë një dëm rreth 10 milionë euro buxhetit të shtetit. Qëllimi është veprimi korruptiv, duhet të hetohet edhe pasuria e saj. Kam dijeni që Manastirliu është thirrur për këtë rast. Zbatimi i kontratës nga znj.Manastirliu ka shkaktuar dëm. Institucionet e kanë njoftuar, ajo s’ka marrë masa”, deklaroi ai.
Arrestimi i Jorgo Goros
Ndërkohë avokati Arben Llangozi ka folur edhe për arrestimin e Jorgo Goros, ndërsa shprehu bindjen që kryebashkiaku në detyrë i Himarës duhet të akuzohej për vjedhje të tokës publike dhe jo vetëm falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre. Llangozi theksoi po ashtu se SPAK po favorizon Artan Gaçin, bashkëshortin e Olta Xhaçkës, i cili s’është ende nën hetim. “Është akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre. Arsyeja ka qenë për vjedhjen e tokës publike, dëmi është shumë i madh, kemi 5700 metra/katror tokë që është tjetërsuar. Kemi një vjedhje me anë të mashtrimit me pasoja të rënda, gjë që nuk është hetuar në këtë fushë. E vetmja gjë që i ishte premtuar personit që do bënte një shitje fiktive, pra pranoj në këmbim të legalizimit të pronave të veta. Përfituesi i pronës është bashkëshorti i znj.Xhaçka që është përjashtuar nga hetimi, do bëhet një resort me të ardhura që s’dihet nga do vijnë. Ka hije dyshimi, sepse është favorizim që SPAK-u po i bën bashkëshortit të znj. Xhaçka dhe kryetarit të bashkisë, sepse ai duhet të akuzohej për vjedhje të tokës publike në bashkëpunim”, nënvizoi avokati i njohur, Arben Llangozi.
