Nicolas Maduro Guerra, djali i presidentit venezuelian Nicolas Maduro, ka deklaruar se babai i tij ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe po përballon me qetësi situatën pas arrestimit të tij nga autoritetet amerikane më 3 janar në Karakas.
Gjatë një aktiviteti partiak, Maduro Guerra tha se informacionet e marra nga avokatët janë inkurajuese. “Na kanë thënë se është i fortë dhe se nuk duhet të trishtohemi. Babai im është një luftëtar”, u shpreh ai, deklaratë që më pas e ndau edhe në rrjetet sociale.
Sipas tij, pavarësisht kushteve të vështira, ish-udhëheqësi venezuelian po e përballon procesin me qëndrueshmëri dhe vendosmëri. Aktualisht, Nicolas Maduro ndodhet përballë një procesi gjyqësor në Nju Jork, ku akuzohet për narko-terrorizëm dhe lidhje me rrjete kriminale ndërkombëtare.
I njohur ndryshe edhe si “Nicolasito”, djali i Maduros u bëri thirrje mbështetësve të lëvizjes chaviste të qëndrojnë të bashkuar, duke theksuar se përçarjet e brendshme do ta dobësonin më tej pozicionin e tyre në këtë moment kritik.
“Duhet të ruajmë unitetin. Forca jonë ka qenë gjithmonë uniteti”, theksoi ai, duke kërkuar mobilizim dhe solidaritet përballë krizës politike që po kalon vendi.
