Avokatët e Hashim Thaçi kundër dënimit 45 vite: Kërkojnë pafajësi dhe thonë se maksimumi ligjor është 15 vite

Data

Ekipi mbrojtës i Hashim Thaçi ka paraqitur argumentet përfundimtare në Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke kërkuar që ish-presidenti të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat dhe të lirohet menjëherë.

Në dokumentin e përgatitur nga avokati Luka Misetic, thuhet se “rezultati i vetëm i drejtë i këtij gjykimi është shpallja e pafajësisë”, ndërsa çdo diskutim për dënim duhet të jetë dytësor.

Një nga pikat kryesore të mbrojtjes lidhet me kohën kur pretendohet se janë kryer veprat penale (1998–1999). Sipas tyre, bazuar në Kushtetutën e Kosovës, dënimi maksimal që mund të jepet nuk duhet të kalojë kufijtë e ligjit në fuqi në atë periudhë, pra nga 5 deri në 15 vite burg.

Avokatët argumentojnë se asnjë ligj i mëvonshëm nuk mund të zbatohet në mënyrë më të ashpër dhe se Kushtetuta ka përparësi ndaj çdo legjislacioni tjetër. Ata kundërshtojnë edhe interpretimet e mëparshme të gjykatës që lejojnë dënime më të larta, duke i cilësuar si jokushtetuese.

Gjithashtu, mbrojtja paraqet një sërë faktorësh lehtësues, duke përmendur dorëheqjen e Thaçit nga posti i presidentit në vitin 2020, dorëzimin e tij vullnetar në Hagë dhe bashkëpunimin me prokurorinë gjatë hetimeve.

Në dosje theksohet edhe roli i tij politik në periudhën pas luftës, duke përfshirë thirrjet për bashkëjetesë paqësore dhe shmangie të hakmarrjes, si dhe respektimin e kushteve gjatë lirimeve të përkohshme.

Ndërkohë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dënim prej 45 vitesh burg për Thaçin dhe bashkëakuzuarit Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Vendimi përfundimtar pritet të merret nga trupi gjykues në Hagë, ndërsa çështja mbetet një nga proceset më të rëndësishme gjyqësore që lidhen me luftën në Kosovë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related