Zhvillime të reja kanë dalë në dritë lidhur me atentatin e ndodhur pranë Rinasit, ku mbetën të vrarë dy persona. Në kuadër të hetimeve, ish-drejtori i komanduar i Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Artion Saliasi, është marrë zyrtarisht i pandehur.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës dhe AMP-së, Saliasi dyshohet për shpërdorim detyre, pasi ka rekrutuar në kundërshtim me ligjin shtetasin Muçi Shaljani, i njohur ndryshe si “Sheqeri”.
Shaljani u vra më 11 nëntor në një atentat me armë zjarri, teksa ndodhej në një automjet së bashku me Gilmando Danin, pak pasi kishin dalë nga aeroporti i Rinasit. Ngjarja tronditi opinionin publik dhe ngriti dyshime për lidhje të mundshme me aktivitet kriminal.
Hetimet tashmë janë zgjeruar për të verifikuar jo vetëm rrethanat e atentatit, por edhe mënyrën se si persona me precedentë apo të dyshuar mund të jenë përfshirë në struktura shtetërore.
Ndërkohë, në një zhvillim paralel, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Mbështetëse në AMP, Gëzim Sala, është rikthyer në detyrë, pasi Gjykata e Apelit i ka hequr masën e pezullimit nga detyra të vendosur më herët.
Çështja vijon të jetë në hetim, ndërsa pritet që organet e drejtësisë të zbardhin të gjitha përgjegjësitë lidhur me këtë rast të rëndë.
