‘Maduro u arrestua sipas ligjit amerikan’, Koçi: Opozita të mos ekzaltohet shumë, se ka në krye një “non grata”

Data

Ish-deputeti socialist Petro Koçi ka komentuar operacionin amerikan në Venezuelë për arrestimin e presidentit Nicolás Maduro, duke e cilësuar atë si një operacion të suksesshëm, të saktë dhe “kirurgjikal”.

Sipas Koçit, ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara ishte e mirëorganizuar, veçanërisht për mënyrën se si u neutralizua sistemi ushtarak dhe teknologjik venezuelian. Ai theksoi se shërbimet sekrete të Venezuelës rezultuan të pafuqishme, ndërsa operacioni përbënte edhe një sfidë të hapur ndaj aleatëve të saj ndërkombëtarë.

Megjithatë, Koçi u shpreh se Venezuela nuk mund të krahasohet me Shqipërinë dhe se reagimi i opozitës shqiptare, duke e lidhur arrestimin e Maduros me situatën politike në vend, është i pavend dhe qesharak.

“Ai nuk ishte vetëm një autokrat, por edhe antiamerikan. Arrestimi i tij erdhi mbi bazën e ligjit amerikan, kryesisht për çështje që lidhen me narkotrafikun dhe armët. Aspektet e tjera, si zgjedhjet e vjedhura dhe diktatura, janë politike”, u shpreh Koçi.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara nuk kanë interes për destabilitet në Venezuelë, por synojnë një tranzicion normal dhe të kontrolluar drejt një zgjidhjeje politike. Ai shtoi se ekzistojnë gjasa reale për një marrëveshje, pasi një pjesë e strukturave qeverisëse venezueliane e kanë kuptuar se situata aktuale nuk mund të vazhdojë.

I pyetur pse kryeministri Edi Rama nuk reagoi personalisht për operacionin amerikan, Koçi tha se u ndoq rruga zyrtare dhe se deklarata i takonte ministres së Jashtme, si përfaqësuese e diplomacisë shqiptare.

Në fund, ai këshilloi opozitën që të mos ekzaltohet për arrestimin e Maduros dhe të mos e përdorë këtë rast për analogji me Shqipërinë, duke theksuar se vetë opozita ka në krye një figurë të shpallur “non grata”.

“Kur ke në krye persona non grata, mjafton vetëm ky fakt që opozita të mos ekzaltohet”, përfundoi Koçi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related