“Turp që Shqipëria ngec për qëllime egoiste”, Arben Malaj sulmon Ramën: Politikat e tij po pengojnë integrimin dhe rrezikojnë të ardhmen europiane të vendit

Data

Ish-ministri i Financave Arben Malaj ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e fajësuar për ngecjen e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Në një intervistë televizive, Malaj u shpreh se vendi po përballet me pasoja të rënda për shkak të, sipas tij, qasjes egoiste dhe mënyrës së qeverisjes që ai e cilësoi si “mbretëri kryeministrore”.

Ai ngriti shqetësimin se vendimet politike dhe përplasjet me partnerët ndërkombëtarë po ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e integrimit, duke paralajmëruar se koston do ta paguajnë qytetarët shqiptarë.

Sipas Malajt, një nga pikat kyçe mbetet reforma në drejtësi dhe roli i institucioneve si SPAK, ndërsa çdo përpjekje për të krijuar mburoja politike për zyrtarët e lartë shihet negativisht nga vendet e Bashkimit Evropian.

Ai theksoi gjithashtu se qëndrimet e Shqipërisë përballë vendeve si Gjermania janë vendimtare dhe se çdo devijim nga standardet europiane mund të çojë në bllokim të mëtejshëm të procesit.

Në analizën e tij, Malaj paralajmëroi se nëse Shqipëria vetëpengohet për arsye politike, vendet e tjera të rajonit, si Mali i Zi, do të avancojnë më shpejt drejt anëtarësimit.

Ish-ministri bëri edhe një apel për ministrin e Jashtëm Ferit Hoxha, duke kërkuar që të qartësojë drejtimin strategjik të vendit dhe të shmangë përplasjet me partnerët europianë.

Në fund, ai iu drejtua edhe të rinjve, duke i ftuar që të marrin më shumë përgjegjësi dhe të angazhohen për të ndryshuar realitetin politik në vend.

Malaj përfundoi se integrimi europian është një rrugë pa alternativë për Shqipërinë dhe se çdo devijim nga kjo rrugë rrezikon të ardhmen e vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related