Detaje të reja kanë dalë lidhur me arrestimin e katër efektivëve të policisë në Sarandë, të ndaluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në kuadër të hetimeve për ndërtimet pa leje në zonën bregdetare.
Sipas burimeve policore, ndërtimi pa leje i zbuluar së fundmi në Sarandë dyshohet se lidhet me një konflikt pronësie që mund të ketë qenë shkak edhe për vrasjen e Isuf Jaçaj, i cili humbi jetën pas një shpërthimi me tritol në automjetin e tij në tetor të vitit 2025.
Raportohet se prona ku po ndërtohej një beach bar për sezonin turistik ka qenë në emër të Jaçajt. Hetuesit dyshojnë se prona është marrë me forcë nga një grup kriminal që vepron në zonën e Kamzës.
Sipas të njëjtave burime, ky grup dyshohet se mund të jetë i përfshirë jo vetëm në atentatin ndaj Isuf Jaçaj, por edhe në ngjarje të tjera kriminale në qytetin e Sarandës.
Në fokus të hetimeve janë edhe katër efektivët e policisë, mes tyre shefi i Komisariatit të Sarandës dhe vartës të tij, të cilët dyshohet se kanë favorizuar ndërtimin pa leje kundrejt ryshfetit.
Operacioni u zhvillua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me organet hetimore, ndërsa deri tani nuk ka një njoftim zyrtar për akuzat konkrete ndaj të ndaluarve.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar rolin e secilit person të përfshirë dhe për të verifikuar lidhjet mes konfliktit për pronën, ndërtimit pa leje dhe atentatit me eksploziv ndaj Isuf Jaçaj.
