Pas arratisjes së Altin Ndocit nga Spitali Rajonal i Durrësit, është marrë masa e menjëhershme për pezullimin e zinxhirit komandues të Burgut të Durrësit. Vendimi është dhënë vetëm pak orë pas ngjarjes dhe synon sqarimin e përgjegjësive institucionale.
Sipas të dhënave paraprake, Ndoci – i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë dhe i akuzuar nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal – ishte shoqëruar për vizitë mjekësore nga dy punonjës policie. Gjatë qëndrimit në spital, ai ka goditur njërin prej efektivëve dhe ka arritur të largohet me vrap nga ambientet e infektivit.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se jashtë spitalit e priste një automjet Audi A7 i bardhë, me të cilin është larguar nga zona. Strukturat policore kanë nisur kërkime intensive për kapjen e tij, ndërsa paralelisht po zhvillohen hetime administrative dhe penale për shkeljet e mundshme të protokolleve të sigurisë.
