Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka konfirmuar zyrtarisht arratisjen e të dënuarit Altin Ndoci nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore.
Sipas njoftimit zyrtar, Ndoci ndodhej në repartin e infektivit, i cili disponon ambiente të posaçme sigurie për personat e dënuar. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të Policisë së Burgjeve, ai ka arritur të largohet nga spitali.
Menjëherë pas ngjarjes, janë vënë në lëvizje të gjitha strukturat përkatëse dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në arratisje.
Altin Ndoci ndodhej në paraburgim/dënim për vepra penale për të cilat po vuante masën e sigurisë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi akuzat konkrete.
Hetimet janë në vijim.
