Ardian Gjini është zgjedhur kryetar i ri i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës gjatë Kuvendit të dhjetë zgjedhor të partisë, duke marrë zyrtarisht drejtimin pas 26 viteve udhëheqje nga Ramush Haradinaj.
Kuvendi u shoqërua me tone emocionale dhe vlerësime për rolin politik dhe ushtarak të Haradinajt në Kosovë, ndërsa vetë lideri historik i AAK-së deklaroi se do të vazhdojë të kontribuojë për vendin edhe pas largimit nga drejtimi i partisë.
“Kam pasur nder të jem ushtar dhe komandant i UÇK-së… Kam pasur nderin të shërbej si kryetar i Aleancës dhe si kryeministër me mbështetjen tuaj”, deklaroi Haradinaj para delegatëve.
Ai i dha mbështetje të plotë pasardhësit të tij, duke deklaruar:
“Sot kryetar Ardian, ne besojmë në ty. Ashtu siç i kam besuar vetes në rrugëtimin tim, ashtu i besoj Ardianit.”
Në fjalimin e tij, Gjini e vlerësoi Haradinajn si simbol të Kosovës dhe të lirisë, duke theksuar se rrugëtimi i AAK-së nuk nis nga zero, por mbi një strukturë dhe besim të ndërtuar ndër vite.
“Ramush Haradinaj nuk ka qenë vetëm kryetar partie, por simbol i Kosovës, i lirisë dhe i politikës së mençur”, u shpreh Gjini.
Ai foli edhe për sakrificën dhe altruizmin e luftëtarëve të UÇK-së, duke kritikuar atë që e quajti “altruizëm fals” në politikë.
Gjini theksoi se AAK-ja do të vazhdojë të mbetet një forcë politike me orientim të qartë pro-perëndimor dhe pro-amerikan, duke përmendur sloganin e ri të partisë: “Siguri, Energji dhe Zhvillim”.
“Ne nuk po nisemi prej zeros. Aleanca mundet, Kosova mundet”, deklaroi ai në përmbyllje të fjalimit të tij.
