Berisha akuzon Ramën për presion ndaj GJK: “Mashtrues publik, i kapur në vjedhjen e tunelit të Llogarasë”

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për ushtrim presioni mbi Gjykatën Kushtetuese, pas vendimit për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku në lidhje me çështjen e tunelit të Llogarasë.

Berisha, gjatë një deklarate për mediat, e cilësoi qëndrimin e Ramës si “terrorizim institucional” dhe tha se kryeministri po tenton të pengojë drejtësinë në një moment kur, sipas tij, është “kapur në qark me vjedhjen e tunelit të Llogarasë”.

“Dënoj me forcën më të madhe presionin dhe terrorin e Edi Ramës ndaj Gjykatës Kushtetuese. Në një akt të pashembullt, ai ndërmori dy sulme të egra që tejkalojnë edhe Maduron e Venezuelës,” – tha Berisha.

Sipas kreut të PD-së, reagimi i Ramës erdhi si kundërpërgjigje ndaj deklaratës së Shoqatës së Gjyqtarëve, e cila denoncoi ndërhyrjet politike në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.

Berisha theksoi se Rama u përpoq të justifikonte qëndrimet e tij duke cituar Komisionin e Venecias, por, sipas tij, këtë e bëri në mënyrë të pavërtetë:

“Ky mashtrues publik, i kapur në çark me vjedhjen e tunelit, citoi sa herë Komisionin e Venecias sikur ky institucion ka dhënë opinione që ministrat nuk mund të pezullohen. Tani ka katër ditë që nuk e përmend më. Duket se ka marrë karton të kuq.”

Berisha i kërkoi zyrtarisht Komisionit të Venecias që të reagojë me një deklaratë publike për të demaskuar, siç tha ai, “keqpërdorimin e qëllimshëm” të opinionit të institucionit nga kryeministri.

Ai shtoi se praktika europiane është e qartë: gjykatat mund të vendosin masa pezullimi ndaj zyrtarëve të lartë, dhe ky instrument nuk bie ndesh as me Kushtetutën dhe as me Konventën Europiane.

“Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka gjykuar se masa e pezullimit nuk është në kundërshtim me Konventën Europiane. Pra, gjithçka është e qartë, përveç mashtrimeve të Ramës,” – u shpreh Berisha.

Deklarata e tij vjen në një klimë të tensionuar politike, pas vendimit të GJKKO-së që shkaktoi reagime të forta nga mazhoranca dhe opozita.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related