Ish-drejtoresha e Tatimeve, Brisida Shehaj, ka rrëfyer periudhën e saj në krye të administratës tatimore, duke folur për presionin, sulmet dhe klimën politike me të cilën u përball gjatë ushtrimit të detyrës.
E ftuar në një emision televiziv, Shehaj deklaroi se nuk e kishte imagjinuar nivelin e agresivitetit dhe sulmeve që do të përjetonte, ndërsa shtoi se goditjet më të forta nuk vinin nga opozita, por nga brenda vetë Partia Socialiste e Shqipërisë.
“Çmendurinë, agresivitetin, llumin dhe mllefin që ndodhi ndaj meje nuk e prisja kurrë. Ishte e pakonceptueshme”, u shpreh ajo.
Sipas Shehajt, sulmet ndikuan jo aq tek ajo personalisht, sesa tek familjarët e saj, duke e bërë periudhën në krye të Tatimeve emocionalisht të vështirë.
Ajo tregoi se në atë kohë ishte vetëm 30 vjeç dhe nuk e kuptonte konfliktin e brendshëm politik që, sipas saj, ekzistonte në PS.
“Ishte llumnaja brenda Rilindjes që kishte nisur herët të gëlonte në PS. Atë luftën brenda llojit nuk e kuptova kurrë”, deklaroi ish-drejtoresha e Tatimeve.
Megjithatë, Shehaj tha se sulmet ndaj saj i konsideronte si një tregues se po bënte punën e duhur dhe po prekte interesa të forta.
“Sa më shumë më luftonin, aq më shumë kuptoja që po bëja atë që duhet”, theksoi ajo.
Deklaratat e Brisida Shehaj vijnë në një moment kur debatet për korrupsionin, administratën fiskale dhe përplasjet politike brenda mazhorancës vijojnë të jenë në qendër të diskutimit publik.
