Ndryshimet në Policinë e Shtetit nuk janë të vetmet në institucionet që varen prej Ministrisë së Brendshme. Pas emërimit të Enrik Banushit në krye të Illyrian Guard e rikthimit të Ajet Zyberit në krye të IKMT, së fundi mësohet se është emëruar edhe drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile.
Një burim nga qeveria i tregoi Lapsi.al se në këtë institucion është emëruar Spiro Maliqi. 33-vjeçari ka qenë këshilltar i Taulant Ballës dhe kohët e fundit kishte aplikuar gjithashtu në platformën “Deputeti që duam”.
Kur Balla u emërua Ministër i Brendshëm e mori fillimisht Maliqin si këshilltar në kabinet e më pas e bëri drejtor të Agjencisë së Programeve të Veçanta të Shtetësisë. Maliqi pasoi në atë drejtori Jona Sulin, të besuarën e Ilir Beqajt e Mirela Kumbaros në krye të SASPAC.
Me ardhjen e Ervin Hoxhës nisën lëvizjet për ta larguar nga kjo agjenci, por siç duket është rikthyer prapë në Ministrinë e Brendshme. Lëvizja nuk është e rastësishme nëse kemi parasysh pjesëmarrjen e diasporës kësaj radhe në zgjedhje.
Taulant Ballën si drejtues politik i PS për diasporën do ta lidhë shumë puna me shërbimin e Gjendjes Civile për listat e zgjedhësve, por edhe për koordinimin e operacionit kriminal të patronazhimit që PS ka nisur të bëjë gjithashtu me shqiptarët jashtë vendit.
