Apeli i GJKKO ndryshon pjesërisht sekuestrimet në dosjen e AKSHI-t, lirohen disa asete dhe llogari bankare, mbeten të bllokuara pasuritë e Karçanajt dhe Beqirit

Data

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të ndryshojë pjesërisht masat e sekuestros preventive të vendosura në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t, duke liruar një pjesë të aseteve dhe llogarive bankare të personave dhe subjekteve të përfshira në procedim.

Sipas vendimit të zbardhur më 2 qershor 2026, gjyqtari Florjan Kalaja shqyrtoi ankimimet e paraqitura nga disa persona nën hetim dhe kompani private, duke ndryshuar pjesërisht vendimin e shkallës së parë të datës 20 prill 2026.

Ndër përfituesit e vendimit janë:

  • Gëzim Hoxha, për të cilin është hequr sekuestroja mbi asetet e një shoqërie private me vlerë rreth 123.6 milionë lekë.
  • Andis Papa, të cilit i lirohen nga bllokimi asete me vlerë mbi 505 milionë lekë në dy subjekte të ndryshme.
  • Elision Jorgji, për të cilin është rrëzuar sekuestroja mbi asetet e kompanisë së tij në vlerën rreth 100.8 milionë lekë.
  • Ergys Agasi, të cilit i është hequr sekuestroja për një apartament në Tiranë.

Megjithatë, gjykata ka lënë në fuqi pjesën më të madhe të masave të sigurisë pasurore të kërkuara nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ndër pasuritë që vijojnë të mbeten të bllokuara janë ato të ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, si dhe asetet e Ermal Beqiri.

Dosja e AKSHI-t konsiderohet një nga hetimet më të mëdha të SPAK-ut në fushën e tenderëve publikë dhe teknologjisë së informacionit. Në këtë procedim po hetohen dyshime për shkelje të barazisë në tendera, grup të strukturuar kriminal, pastrim parash dhe vepra të tjera penale të lidhura me procedurat e prokurimit publik.

Vendimi i Apelit nuk ndikon në vijimin e hetimeve penale, të cilat vazhdojnë nga SPAK për të gjithë personat e përfshirë në këtë çështje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related