Filmi “Two People Exchanging Saliva”, ku luan aktorja nga Kosova Luana Bajrami, ka fituar çmimin Oscar në kategorinë për filmin më të mirë të shkurtër me aksion të drejtpërdrejtë.
Ky sukses shënon një moment historik për kinematografinë shqiptare, pasi emri i aktores kosovare u përmend në skenën më të madhe të industrisë së filmit në botë.
Në film, Bajrami interpreton rolin protagonist të personazhit Malaise. Ngjarja zhvillohet në një Paris distopik, ku puthjet janë të ndaluara dhe të paligjshme, ndërsa njerëzit jetojnë në një atmosferë të ftohtë dhe absurde.
Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, aktorët dhe regjisorja e filmit theksuan se projekti është realizuar nga një ekip ku shumica janë gra dhe pjesë e komunitetit LGBT.
Në fjalimin e tyre, ata përmendën edhe prejardhjen e ndryshme të pjesëtarëve të ekipit, duke theksuar se Luana Bajrami vjen nga Kosova.
Aktorja kosovare nuk ishte e pranishme në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, por suksesi i filmit shënon një arritje të rëndësishme për karrierën e saj dhe për përfaqësimin e artistëve shqiptarë në skenën ndërkombëtare të kinemasë.
