Kreu i Partia e Lirisë, Ilir Meta, i ka drejtuar një letër drejtuesit të SPAK, Klodjan Braho, ku kërkon që të mos bëhet një tjetër kërkesë ndaj autoriteteve amerikane për shtyrjen e afatit të mosbërjes publike të informacionit lidhur me kontratën mes LSI-së dhe kompanisë GSIS.
Në letrën e tij, Meta thekson se më 23 qershor 2026 përfundon afati i vendosur nga gjykata amerikane, sipas një kërkese të nisur nga Ministria e Drejtësisë, për të mos bërë publike dokumentet që lidhen me marrëdhënien kontraktore mes LSI-së dhe GSIS.
Sipas Ilir Meta, një kërkesë e re për shtyrje do të cenonte rëndë të drejtën e tij për një mbrojtje efektive në procesin gjyqësor që ndodhet tashmë në fazën e gjykimit në themel në GJKKO.
“Një shtyrje tjetër do ta bënte të pamundur mbrojtjen time efektive lidhur me akuzat e ngritura për këtë çështje”, shkruan Meta në letër.
Ai pretendon se fshehja e dokumenteve për dy vite ka penguar verifikimin e provave dhe kontrollin e ligjshmërisë së tyre, duke ngritur sipas tij dyshime për ndikime politike në proces.
Në letër, Meta akuzon gjithashtu Edi Rama për presion ndaj institucioneve të drejtësisë dhe për ndërhyrje politike në çështje që lidhen me marrëdhëniet juridiksionale me Shtetet e Bashkuara.
Ai përmend edhe rastin e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, duke pretenduar se ka pasur ndikime politike në hetimet ndaj tij.
Sipas Metës, kontrata e 3 shkurtit 2016 mes LSI-së dhe GSIS është regjistruar sipas ligjeve amerikane dhe shqiptare dhe nuk përbën rrezik për sigurinë kombëtare të Shqipërisë apo SHBA-së.
Në fund të letrës, ai kërkon transparencë të plotë dhe publikimin e dokumenteve, duke deklaruar se kjo do t’i shërbente zbardhjes së plotë të çështjes dhe garantimit të një procesi të rregullt ligjor.
