“SPAK kërkon arrestimin, Balluku po falsifikon provat ditë e natë!” – Berisha shpërthen: Paralajmërim për kërcënime ndaj drejtësisë, ‘goja e Ramës sot fliste për luftë’

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të rënda ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe kryeministrit Edi Rama, në një kohë kur SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj. Në një takim me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar, Berisha deklaroi se Balluku po “modifikon dhe falsifikon provat ditë e natë”, ndërsa sipas tij, po bëhen “100 manovra” për ta shpëtuar nga burgu.

Berisha e cilësoi situatën aktuale si të paprecedentë, duke akuzuar qeverinë për presion dhe kërcënime ndaj institucioneve të drejtësisë.

“Me këtë rast, dua të denoncoj çdo formë kërcënimi ndaj punonjësve të zbatimit të ligjit dhe familjarëve të tyre dhe ta garantoj Edi Ramën se për çdo akt ndaj tyre, ai do të ketë përgjegjësi personale përballë opozitës shqiptare,” deklaroi ai.

“Flitet për luftë”

Berisha u ndal edhe te deklarata që, sipas tij, janë bërë nga persona shumë pranë kryeministrit, duke i cilësuar alarmante:

“Njeriu më i afërt, goja e tij pothuaj, fliste sot për luftë. Luftë, sepse prokuroria po sulmon gratë e pushtetit. Dhe kjo, sipas tij, do çojë vendin në luftë. E imagjinoni ju?”, u shpreh kryedemokrati.

Ai shtoi se prej një muaji shteti është i bllokuar, sepse Balluku nuk ka dhënë dorëheqjen, ndërsa Rama, sipas tij, ka ndërmarrë “hapin e turpit”, duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për t’i hequr pezullimin.

Standardet e së shkuarës, sipas Berishës

Berisha solli shembuj nga e kaluara për të argumentuar se më parë zyrtarët jepnin dorëheqjen përballë drejtësisë:

  • Ilir Meta, i cili sipas tij dorëzoi mandatin dhe postin pa u kërkuar nga prokuroria;
  • Fatmir Mediu, që dha dorëheqjen dhe u përball me hetimin;
  • Ilir Rusmali, i shkarkuar brenda 24 orësh për shkelje etike.

“Nga këto norma dhe standarde nuk mund të lëvizim,” theksoi Berisha, duke shtuar se sot kemi të bëjmë me një “narkoshtet” ku pushteti, sipas tij, mbron të akuzuarit.

Mbështetje për SPAK

Në përfundim, kreu i PD-së përgëzoi SPAK-un për kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut, duke e quajtur këtë veprim kusht për mbrojtjen e interesit publik.

“Përkundrazi, sot flitet për luftë. Kurrë nuk ka pasur një situatë të tillë si kjo,” përfundoi Berisha, duke paralajmëruar se opozita nuk do të tërhiqet përballë asaj që ai e quan kapje të shtetit dhe sulm ndaj drejtësisë

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related