Analiza e DW: Pse Scholz do paqe “të shpejtë” në Ukrainë?

Data

Kancelari gjerman, Olaf Scholz është i mendimit se ka ardhur koha për bisedime paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë. Opozita gjermane e kritikon qeverinë. Edhe Moska ka reaguar.

Në kancelarinë e Berlinit ekziston mendimi, se ka ardhur koha për përpjekje më intensive diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Në një intervistë me ZDF më 8 shtator, kancelari Olaf Scholz tha: “Unë mendoj se tani është momenti kur ne gjithashtu duhet të diskutojmë se si mund të kalojmë nga kjo situatë lufte në paqe më shpejt sesa duket aktualisht.” Por socialdemokrati nuk ka dhënë ndonjë sugjerim konkret për këtë. Megjithatë, ai mbështeti idenë që Rusia gjithashtu duhet të marrë pjesë në samitin e ardhshëm të paqes në Zvicër

Kritika nga opozita, mbështetje brenda koalicionit
Opozita konservatore e CDU/CSU në Berlin reagoi menjëherë ashpër pas fjalëve të Scholz. “Kjo lëvizje e kancelarit ishte e parashikueshme sepse përshtatet në strategjinë e pjesëve brenda SPD që duan ta shtyjnë me kujdes Ukrainën në një paqe të rreme të diktuar nga Rusia, në të cilën mbështetja gradualisht zvogëlohet dhe në vend të kësaj kërkohen negociata të rreme,” tha politikani i CDU-së për çështjet e jashtme, Roderich Kiesewetter për “Bild”. Edhe kolegu i tij i partisë së tij, Jürgen Hardt theksoi për Berliner Zeitung se “nuk mund t’i bësh Putinit një nder më të madh sesa ta detyrosh Ukrainën në tryezën e bisedimeve ndërsa ai vazhdon të vrasë në Donbass”. “Ne të gjithë duam negociata, por i takon agresorit të ndalojë agresionin”, tha Hardt.

Skeptikë janë edhe Të Gjelbrit, pjesë e koalicionit qeveritar. Sipas agjencisë së lajmeve dpa, bashkëkryetar i Të Gjelbërve, Omid Nouripour tha në Berlin se gatishmëria në Kremlin për të pasur “diskutime në kushte të barabarta” nuk është veçanërisht e madhe. Megjithatë, negociatat me Rusinë janë të nevojshme, edhe në formën e konferencave të paqes, tha bashkëkryetari federal i Aleancës 90/Të Gjelbërit.
Skepticizëm gjen edhe tek liberalët, FPD. Zëdhënësi i politikës së jashtme të FDP-së, Ulrich Lechte, i tha Berliner Zeitung se ndërsa partia e tij është e mendimit se diplomacia asnjëherë nuk është e pakët, ai e konsideron të pamundur që Putin të jetë i gatshëm të ulet në tryezë me Ukrainën dhe të tërheqë trupat e tij. “Një paqe e re e rremë, siç u ra dakord përfundimisht me marrëveshjen Minsk II, për mendimin tim është krejtësisht e papranueshme”, tha Lechte.

Zgjedhjet e landeve – lufta në Ukrainë
Deklarat e Scholz për të ulur Ukrainën dhe Rusinë në tryezën e bisedimeve nuk është e befasishme për vëzhguesit. Humbjet e hidhura të socialdemokratëve në zgjedhjet shtetërore në shtetet lindore të Gjermanisë, Saksoni dhe Tyringi, ka të ngjarë të jenë një nga arsyet e komenteve të kancelarit, siç janë edhe zgjedhjet e ardhshme në landin e Brandenburgut, gjithashtu në Gjermaninë Lindore, më 22 shtator. Ky land aktualisht qeveriset nga kolegu i partisë së Scholz-it, Dietmar Woidke.
Alex Yusupov, drejtues i programit për Rusinë në Fondacionin Friedrich Ebert, beson se Scholz do të mbështetë Woidken dhe dëshiron të sinjalizojë se edhe Berlini zyrtar mendon, “që lufta duhet të përfundojë sa më shpejt se vonë – gjithashtu me negociata dhe jo vetëm me mjete ushtarake”. Në një intervistë për DW, politologu theksoi se partitë populiste do ta përdornin si avantazhin e tyre, nëse kancelari do të shpërfillte çështjen e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Kurse politologu ukrainas, Volodymyr Fesenko mendon, se Scholz po përpiqet të gjejë një ekuilibër të caktuar politik. “Ai e ka parë trendin. Tema e bisedimeve të paqes është duke u diskutuar në mënyrë aktive dhe Scholz për këtë arsye ka vendosur të flasë për të, veçanërisht pas takimit të fundit me Zelensky,” tha Fesenko. Ai është i bindur se kancelari synon t’i përshtatet atmosferës politike të brendshme dhe kështu të forcojë pozicionin e tij përpara zgjedhjeve federale të vitit të ardhshëm.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related