Kalaja zbulon prapaskena para Kuvendit të PD: Një grua pritet të emërohet nënkryetare, fokus kryesor mbetet fitorja e zgjedhjeve

Data

Në prag të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, kreu i degës së PD-së në Krujë, Aulon Kalaja, ka zbuluar disa detaje lidhur me ndryshimet që pritet të ndodhin në strukturat drejtuese të forcës më të madhe opozitare.

Gjatë një interviste televizive, Kalaja deklaroi se Partia Demokratike duhet të përqendrohet te objektivi kryesor politik, fitorja e zgjedhjeve të ardhshme, duke lënë pas debatet e brendshme për lidershipin.

“Problemi i vetëm sot është të fitojmë zgjedhjet. Sali Berisha i ka fituar zgjedhjet në PD dhe nuk besoj se ai po lufton për pushtetin e tij brenda partisë. Tani energjitë duhet të fokusohen te përballja me qeverinë”, u shpreh ai.

Kalaja bëri të ditur se sipas informacioneve që ka, në ekipin e ri drejtues të PD-së pritet të ketë ndryshime të rëndësishme, ku një grua mund të marrë postin e nënkryetares së partisë.

“Me sa kam marrë vesh, një zonjë pritet të emërohet nënkryetare e Partisë Demokratike”, deklaroi ai, pa zbuluar emra konkretë.

Kreu i PD-së në Krujë ngriti gjithashtu çështjen e përfaqësimit të komuniteteve fetare në strukturat drejtuese të partisë. Sipas tij, Partia Demokratike duhet të tregojë më shumë vëmendje ndaj balancës dhe përfaqësimit të grupeve të ndryshme shoqërore.

“PD ka bërë gabime në të kaluarën duke mos i kushtuar rëndësinë e duhur përfaqësimit të komuniteteve fetare. Tradita shqiptare e bashkëjetesës fetare duhet të reflektohet edhe në forumet drejtuese të partisë”, theksoi Kalaja.

Deklaratat e tij vijnë vetëm pak orë para nisjes së Kuvendit Kombëtar, ku delegatët do të votojnë për Këshillin e ri Kombëtar dhe do të shqyrtojnë ndryshime statutore që synojnë modernizimin e partisë, rritjen e përfaqësimit të diasporës dhe përfshirjen më të madhe të grave në strukturat vendimmarrëse.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related