Përplasjet brenda Partisë Demokratike vijojnë të thellohen, ndërsa Alesia Balliu ka reaguar ashpër ndaj kreut të saj, Sali Berisha.
Në një postim në rrjetet sociale, Balliu i është përgjigjur deklaratave të fundit të Berishës, duke e cilësuar atë “pensionist politik” dhe duke e akuzuar për sulme dhe, sipas saj, përhapje të pavërtetash ndaj demokratëve.
Ajo përdori edhe tone të forta personale, duke deklaruar se “doktor i Enver Hoxha ke qenë ti, jo ne”, duke iu referuar të kaluarës së Berishës.
Balliu theksoi gjithashtu se Berisha, i shpallur “non grata”, sipas saj po vijon një fushatë sulmesh për të minimizuar kontributet e të tjerëve brenda Partisë Demokratike.
Në reagimin e saj, ajo shtoi se një pjesë e demokratëve dhe qytetarëve po e kuptojnë gjithnjë e më shumë situatën aktuale brenda partisë dhe, sipas saj, rënien e figurës së Berishës.
Ky reagim vjen në një moment tensionesh të larta në PD, pas përjashtimeve nga gara për drejtimin e partisë dhe debateve mbi mënyrën e funksionimit të saj të brendshëm.
