Irani ka ndërmarrë një tjetër hap për forcimin e marrëdhënieve strategjike me Kina, duke emëruar kryetarin e parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, si të dërguar special për marrëdhëniet me Pekinin.
Sipas mediave iraniane, vendimi është propozuar nga presidenti Massoud Pezeshkian dhe është miratuar nga autoritetet më të larta të Republikës Islamike.
Në rolin e tij të ri, Ghalibaf do të koordinojë çështjet politike, ekonomike dhe strategjike mes Teheranit dhe Pekinit, në një moment kur Irani po përballet me tensione të larta rajonale dhe presion të vazhdueshëm nga Perëndimi.
Kina konsiderohet partneri më i rëndësishëm ekonomik i Iranit dhe një nga importuesit kryesorë të naftës iraniane, duke luajtur rol kyç për ekonominë e vendit në kushtet e sanksioneve ndërkombëtare.
Më herët, ky pozicion mbahej nga Ali Larijani, i cili kishte mbikëqyrur edhe marrëveshjen strategjike 25-vjeçare mes Iranit dhe Kinës të firmosur në vitin 2021.
Sipas raportimeve, Ghalibaf ka qenë gjithashtu pjesë e kontakteve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, duke marrë pjesë në takime të nivelit të lartë mes dy vendeve.
Lëvizja shihet si pjesë e strategjisë së Teheranit për të konsoliduar aleancat lindore dhe për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik e politik me Pekinin, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të mbeten të larta
