Analisti Albatros Rexhaj ka komentuar protestën e 17 prillit të organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një nga tubimet me pjesëmarrjen më të ulët në vitet e fundit.
Sipas tij, arsyeja kryesore lidhet me rënien e besimit të qytetarëve ndaj opozitës, një trend që, sipas Rexhajt, ka ardhur duke u thelluar.
“Kur ka besim, sheshet mbushen”
Rexhaj theksoi se shqiptarët historikisht kanë treguar aftësi për protesta masive kur besojnë te një kauzë, duke përmendur lëvizjet e viteve ’90, ngjarjet e vitit 1997 dhe protestat studentore.
“Kur njerëzit besojnë se kauza është e drejtë, nuk ka forcë që i ndalon të dalin në rrugë”, u shpreh ai.
Kritika për dhunën në protesta
Një tjetër faktor që, sipas analistit, ka ndikuar në pjesëmarrjen e ulët është edhe perceptimi për dhunë gjatë protestave.
Ai përmendi momentet kur, sipas tij, pas daljes së Sali Berisha me flamur, kanë nisur hedhjet e mjeteve piroteknike, duke krijuar një lidhje të perceptuar mes këtyre episodeve.
“Ky është një imazh që nuk lë shije të mirë dhe nuk ndihmon kauzën e opozitës”, theksoi Rexhaj.
Opozita ende pa besim të plotë
Në përfundim, ai u shpreh se opozita nuk ka arritur ende të fitojë besimin e qytetarëve në nivelin e nevojshëm për të mobilizuar protesta masive.
Sipas tij, pa rikthimin e këtij besimi dhe pa distancim nga episodet e dhunës, protestat do të vijojnë të kenë pjesëmarrje të kufizuar.
