Deputeti socialist Erion Braçe ka mbështetur publikisht shqetësimet e ngritura më herët nga Elisa Spiropali, duke pranuar se brenda Partisë Socialiste ekzistojnë probleme me shpërndarjen e posteve dhe vlerësimin e kontributeve.
Në një deklaratë për mediat, Braçe theksoi se ka individë që kanë përfituar pozicione dhe privilegje pa i merituar plotësisht, ndërsa shumë socialistë të tjerë kanë mbetur pa vlerësimin që u takon. Sipas tij, partia ka investuar më shumë te individët, sesa individët te partia.
Ai pranoi se shqetësimet e ngritura nga Spiropali nuk janë të izoluara, por ndahen edhe nga anëtarë të tjerë të PS-së. Diskutimet e fundit, sipas tij, tregojnë qartë nevojën për reflektim, hapje dhe më shumë demokraci të brendshme.
Megjithatë, Braçe u shpreh i rezervuar për të bërë publike debatet e brendshme, duke theksuar se ato duhet të trajtohen brenda strukturave të partisë. Ai shtoi se ka shumë socialistë të thjeshtë që, pavarësisht angazhimit ndër vite, nuk kanë marrë atë që prisnin nga partia.
I pyetur drejtpërdrejt nëse ka persona që kanë përfituar më shumë seç meritojnë, Braçe u përgjigj shkurt: “Patjetër që ka plot.”
