Një alarm për bombë ka vënë në lëvizje mbrëmjen e sotme strukturat e sigurisë në Toptani Shopping Center, pasi një kërcënim për shpërthim është dërguar përmes një emaili.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë së Tiranës, rreth orës 20:10, shefi i sigurisë së qendrës tregtare ka raportuar në sallën operative se kishte marrë një mesazh elektronik ku pretendohej se në ambientet e godinës ishte vendosur një sasi lënde plasëse, e cila do të shpërthente rreth orës 20:30.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, njësitë xheniere dhe strukturat antiterror, të cilat kanë kryer kontrolle të detajuara në të gjithë ambientet e qendrës.
Nga verifikimet e kryera deri tani nuk është konstatuar asnjë objekt i dyshimtë apo material i paligjshëm, duke e bërë të mundshëm që bëhet fjalë për një alarm të rremë.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për identifikimin e personit që ka dërguar emailin kërcënues dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Autoritetet kanë bërë thirrje për qetësi, ndërsa theksojnë se çdo rast i tillë trajtohet me seriozitet maksimal për të garantuar sigurinë publike.
