Alarm në jug të vendit/ Vjosa del nga shtrati pranë Urës së Mifolit, uji ngjitet në 6.8 metra

Data

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin gjatë orëve të fundit kanë sjellë një situatë alarmante në jug të Shqipërisë. Lumi Vjosë ka dalë nga shtrati në zonën e tregut pranë Urës së Mifolit, duke përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme dhe duke rritur ndjeshëm rrezikun për banorët përreth.

Sipas të dhënave zyrtare, niveli i ujit në Vjosë ka arritur në 6.8 metra, një kuotë tepër e lartë që ka vënë në gatishmëri strukturat e emergjencës. Prurjet e shumta nga zonat e Gjirokastrës dhe Përmetit vijojnë të mbeten të larta, duke ushtruar presion të vazhdueshëm mbi shtratin e lumit.

Autoritetet u kanë bërë thirrje familjeve që banojnë pranë Vjosës të marrin masa paraprake dhe të jenë të gatshme për çdo situatë emergjente, ndërsa monitorimi i situatës po kryhet në mënyrë të pandërprerë.

Ndërkohë, moti i keq ka shkaktuar edhe probleme serioze në infrastrukturë. Rruga Kotë–Sevaster në fshatin Vajzë është bllokuar si pasojë e një rrëshqitjeje dhe banorëve u kërkohet të shmangin qarkullimin në këtë segment. Po ashtu, aksi nacional Gjirokastër–Kakavijë është bllokuar në zonën e Kordhocës, përballë fshatit Lazarat, ku grupet e punës ndodhen në terren për të rikthyer qarkullimin normal.

Situata mbetet e tensionuar dhe autoritetet apelojnë për kujdes maksimal, respektim të udhëzimeve dhe shmangie të lëvizjeve të panevojshme në zonat e rrezikuara.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related