Acari po vjen: I ftohti polar “pushton” Shqipërinë, nga nesër rënie e fortë temperaturash

Data

Pas ditëve me reshje intensive dhe përmbytje, vendi ynë pritet të përfshihet nga një valë e fortë acari. Duke nisur nga pasditja e nesërme, temperaturat do të pësojnë një rënie të ndjeshme në të gjithë territorin.

Në zonat malore të veriut dhe juglindjes, termometri pritet të zbresë deri në -13 apo -14 gradë Celsius. Në Tiranë, temperaturat nesër do të luhaten nga -4 deri në 10 gradë Celsius, ndërsa të hënën parashikohet një interval nga -2 në 6 gradë. Nga e marta pritet një rritje e lehtë e temperaturave, por acari do të vijojë të mbetet dominues.

Ndërkohë, rrebeshet e shiut do të ndërpriten gradualisht, duke i lënë vendin motit të thatë dhe shumë të ftohtë, me ngrica të theksuara gjatë orëve të natës dhe mëngjesit.

Moti ekstrem ka goditur tashmë Evropën Perëndimore, ku stuhia e fuqishme ka sjellë reshje të dendura dëbore, erëra të forta dhe temperatura shumë të ulëta. Në disa vende janë regjistruar ndërprerje të energjisë elektrike për qindra mijëra familje, si dhe anulime të shumta fluturimesh.

Sipas të dhënave satelitore evropiane, rreth 80% e kontinentit evropian është aktualisht e mbuluar nga bora, një nivel rekord i paprecedentë që nga viti 2010. Temperaturat në disa kryeqytete evropiane kanë zbritur deri në -15 apo edhe më poshtë.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat malore dhe gjatë qarkullimit rrugor, për shkak të rrezikut nga ngricat dhe temperaturat ekstreme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related