Alarm kombëtar nga BIRN: Kapja e AKSHI-t nga interesa kriminale rrezikon sovranitetin digjital dhe sigurinë e Shqipërisë!

Data

Hetimi i fundit i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal në drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka hapur një debat shumë më të gjerë se korrupsioni në tendera. Sipas analizës së publikuar nga BIRN, çështja prek drejtpërdrejt sigurinë kombëtare dhe sovranitetin digjital të shtetit shqiptar.

SPAK njoftoi se ka vendosur 8 persona nën akuzë, mes tyre edhe drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, në kuadër të hetimeve për manipulim tenderash, ushtrim dhune dhe krijim të një grupi të strukturuar kriminal. Sipas prokurorisë, Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiraj dyshohet se kanë ngritur një skemë kriminale për të kontrolluar procedurat e prokurimit të AKSHI-t. Ndërsa dy personazhet kryesorë i shpëtuan arrestimit, Karçanaj dhe zv.drejtoresha Hava Delibashi janë vendosur nën masën arrest shtëpie.

AKSHI – zemra e shtetit digjital

Rasti ka ngritur alarmin maksimal për faktin se AKSHI është një nga institucionet më sensitive në vend, duke menaxhuar thuajse të gjithë sistemin e qeverisjes digjitale përmes E-Albania, përfshirë edhe platforma të ndërtuara mbi Inteligjencën Artificiale, si ministrja virtuale “Diella”.

Agjencia administron të dhëna dhe sisteme që konsiderohen infrastrukturë kritike kombëtare, ndaj çdo ndërhyrje kriminale në funksionimin e saj, sipas ekspertëve, kalon kufirin e korrupsionit administrativ dhe hyn në territorin e cënimit të sigurisë kombëtare.

“AKSHI menaxhon infrastrukturë digjitale kritike dhe çdo devijim serioz në funksionimin e tij përbën rrezik për sigurinë kombëtare,” deklaroi për BIRN Arjan Dyrmishi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.

Sipas tij, dyshimet për bashkëpunim të drejtuesve të AKSHI-t me një grup të strukturuar kriminal tregojnë se është vënë në rrezik jo vetëm integriteti i tenderëve, por edhe sovraniteti digjital i shtetit shqiptar.

Rreziku i të dhënave në duar kriminale

Ish-kreu i Forcës Detare, Artur Meçollari, e cilëson situatën edhe më alarmante. Ai paralajmëron se të dhënat kritike të përpunuara nga AKSHI mund të kenë përfunduar në duart e kompanive që fituan tenderat, të cilat dyshohet se janë diktuar nga grupi kriminal.

“Nëse këto kompani kanë qenë të pajisura me certifikatë sigurie nga DSIK, atëherë vihet në diskutim i gjithë sistemi i sigurisë kombëtare,” thekson Meçollari, duke shtuar se një pjesë e tenderëve të AKSHI-t janë klasifikuar sekret, pikërisht për shkak të ndjeshmërisë së të dhënave.

Sipas tij, zotërimi i këtyre informacioneve nga grupe kriminale krijon mundësi për tregtim në tregun e zi dhe rrezikon që të dhënat të përfundojnë në duart e grupeve kriminale ndërkombëtare apo shteteve armiqësore ndaj Shqipërisë.

Dështim institucional dhe heshtje politike

Ekspertët bien dakord se korrupsioni në tendera brenda një institucioni si AKSHI është një sinjal i drejtpërdrejtë për dështim të mekanizmave të mbrojtjes së sigurisë kombëtare. Klima e frikës, dhuna ndaj kundërshtarëve dhe kapja e vendimmarrjes, sipas Dyrmishit, e bëjnë sigurinë operacionale “jo funksionale”.

Nga ana tjetër, mazhoranca është mjaftuar me përshëndetjen e aksionit të SPAK. “Unë gëzohem sa herë që SPAK-u realizon operacione,” deklaroi kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Opozita, ndërkohë, flet për kolaps të sigurisë kombëtare. Deputeti Erald Kapri kërkon seanca dëgjimore urgjente, thirrjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe ndërhyrjen e partnerëve ndërkombëtarë, NATO dhe BE.

Edhe deputeti i PD-së Klevis Balliu e cilëson rastin si “cënim të rëndë të sigurisë shtetërore, ekonomike dhe personale të qytetarëve”.

Rasti AKSHI, sipas BIRN, është më shumë sesa një dosje korrupsioni: është një test i fortë për aftësinë e shtetit shqiptar për të mbrojtur të dhënat, institucionet dhe sigurinë e tij kombëtare në epokën digjitale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related