Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi një inspektim në Degën Doganore Bllatë, pas rritjes së fluksit të mjeteve si pasojë e bllokimit të aksit Librazhd–Elbasan.
Pas marrëveshjes me autoritetet e Maqedonisë së Veriut, kamionët që nuk mund të kalojnë nga Qafë-Thanë po devijohen përmes pikës kufitare të Bllatës, duke shtuar ndjeshëm volumet e punës në këtë degë doganore.
Gjatë vizitës, Beja monitoroi zbatimin e planit të masave, përforcimin e sporteleve dhe përpunimin e mjeteve në hyrje-dalje. Ai u shpreh se situata po menaxhohet normalisht, pavarësisht ngarkesës së shtuar.
Drejtoria e Doganave ka angazhuar personel shtesë dhe po bashkëpunon me institucionet homologe për të garantuar vijimësinë e qarkullimit të mallrave deri në normalizimin e situatës rrugore.
