PD bllokon rezolutën e përbashkët me PE, voton kundër draftit, eurodeputetët: Të paktën abstenoni, do të jetë sinjal…

Data

Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri nuk arriti dje të miratonte një rezolutë të përbashkët, pasi opozita nuk votoi dokumentin e përbashkët. Shkak për këtë, sipas PD, u bë refuzimi që mazhoranca u bëri të gjitha amendamenteve të propozuara nga opozita. Në mbledhjen e Komitetit për të diskutuar mbi MSA, kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, tha se opozita nuk është kundër BE, por kundër mazhorancës që refuzon çdo propozim të opozitës.

“Grupi Parlamentar i PD-se do të votojë kundër rezolutës. Kjo jo se opozita është kundër procesit të integrimit, por për shkak se mazhoranca refuzon çdo propozim tonin. Propozimet kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit te organizuar dhe korrupsionit dhe mbajtjen e zgjedhjeve te lira e të ndershme”, deklaroi Bardhi. Përfaqësuesit e Parlamentit Europian i kanë bërë thirrje palëve politike shqiptare të votojnë rezolutën me konsensus, por opozita ka refuzuar. Delegacioni i PE-së është shprehur se vota kundër do të ishte sinjal negativ për Këshillin Europian dhe do të ngadalësonte procesin e integrimit. Kjo ishte dita e dytë e takimit të 18-të të Stabilizim-Asocimit, ku u diskutua tema e ekonomisë dhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, vuri theksin në disa pika kyçe për zhvillimin e vendit dhe nevojën për reforma të thella ekonomike. Tabaku theksoi nevojën për modernizimin e modelit ekonomik të Shqipërisë, duke evidentuar se ekonomia aktualisht mbështetet kryesisht në ndërtimin, një sektor i ngarkuar nga korrupsioni dhe krimi, si dhe në bujqësinë që është në rënie të vazhdueshme.

“Modeli duhet ndryshuar. Duhet t’u japim përparësi sektorëve si teknologjia, bujqësia dhe industria. Këta sektorë të nënvlerësuar mund të krijojnë një bazë të fuqishme për rritjen ekonomike dhe për zhvillimin e kapitalit human në vend’, tha ajo. Një tjetër pikë kyçe që Tabaku ngriti ishte ekonomia informale dhe shpërndarja e padrejtë e kontratave publike. Ajo vuri në dukje se mbi 800 mijë transaksione të dyshimta të parave të pista po ndikojnë negativisht në qasjen e bizneseve të reja që dëshirojnë të investojnë në Shqipëri. “Kapja ekonomike e vendit është një nga pengesat kryesore që duhet luftuar me të gjitha mjetet e mundshme”, deklaroi Tabaku, duke shprehur shqetësimin për koncesionet dhe PPP-të e qeverisë aktuale që po e zhysin ekonominë në varësi të interesave të një pakice të korruptuar’, tha ajo

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related